Çfarë dreqin është dashuria?

Feb 14, 2018

Isha duke biseduar me nje shoqe që është beqare, e jo si une, që tashmë e kam nje penis sapiens, që më do më shumë se 20 minuta marrëdhënie seksuale, dhe që është i interesuar të ndërtojë dhe një lidhje njerëzore me mua. Kjo ngjarje e re ne jetën time, ka shtuar kuriozitetin e shumë palëve, bisedat online, chat apo telefon. Anyway, duke biseduar, folur qeshur e treguar, vjen pyetja ekzistenciale, sepse tashmë unë jam doktoresha e seksit: “ o Zhak, po sipas teje, dashuria , çfarë dreqin është ?“

Mirë. Në rregull. Mmmmm. Çfarë dreq pyetje është kjo ?

Atëherë, të duash do të thotë të ndihesh i/e respektuar i/e plotësuar, flutrat në stomak dhe këto element që të gjithë i dimë. Do thoni ju, respekti nuk është cliché dhe jo të gjithë respektojnë. Po ama, është si të thuash më pëlqen muzika. Ok të pëlqen muzika, por të pëlqen Kallashi apo Miss Kittin. Flutrat në stomak i ndjejmë kur rritet serotonina në trupin tonë dhe kjo ndodh dhe me ndonjë pëlqim apo flirt të thjeshtë. Pastaj dhe kjo të qënurit i/e plotësuar. Unë në fakt nuk ndihesha bosh, as nuk ndihem e plotësuar tani. Biles me mua ndodhi e kundërta, kisha aq shumë angazhime e punë për të bërë sa duhet të eliminoja diçka që të pranoja dikë në jetën time. Por këto janë më shumë llogjistikë se sa ndjenjë.

Pyetje e madhe dhe e vështirë. Çfarë është pra dashuria ?

Dashuri është të kalosh mirë me dikë por dhe të mërzitesh.

Dashuri është të flasësh për gjithçka dhe të kuptosh dhe kur heshtet.

Dashuri është të mbeshtesësh më shumë se sa të durosh.

Dashuria është të ja duash të mirën tjetrit dhë të sillesh në bazë të kësaj dashurie.

Dashuria është të bësh dashuri por dhe seks. Është të humbasësh veten dhe ndjenjat te tjetri, duke patur besimin që çdo gjë është në vendin e duhur. Pikërisht aty ku donte natyra që të ishte. Në atë vend në atë moment.

Dashuri është të dish se çfarë mendon tjetri pa nevojë shpjegimi.

Dashuria është të shpjegosh dhe atë që është e vështirë dhe të mundohesh të kuptosh dhe atë që nuk të pëlqen. Dashuri është të diskutosh, bisedosh apo të gjesh kompromis.

Dashuria është të angazhohesh, të jesh më i/e miri/a, jo i/e vetmi apo e vetmja.

Dashuri është t’i japësh tjetrit atë që ka nevojë pa patur nevojë të ta kërkojë.

Dashuria është kur ndan suksese dhe dështim.

Dashuria është kur kujdesesh dhe kur nuk e përdhos tjetrin.

Dashuria është të rritesh, piqesh, ndërtosh, prishësh, riparosh, investosh, përmirësosh.

Dashuria është të punosh bashkë për një objektiv të përbashkët, të ndash fuqinë dhe optimizosh resurset.

Dashuria pra është një punë.

Dashuria kërkon kohë, angazhim, energji, pasion, dedikim, sinqeritet, aftësi për zgjidhje problemi, aktivizim, angazhim në team work, aftësi në menazhim projektesh, fleksibilitet, kurse azhornimi të vazhdueshme etj etj. Sepse dashuria është një sektor ku ka shumë konkurrencë, provime, feedback, orë të gjata, dhe më e bukura e kësaj është që me dashurinë nuk paguan as faturën e ujit.

Ndoshta është pikërisht këtu që kuptohet dashuria: kur pamvarësisht vetëdijësimit se sa është e vështirë të duash, nuk ke dyshime.

Të kuptosh që je aty.

Që pranon. Që e merr përsipër.

Nga Zhaklin Lekatari/tabu.al/