IN BLOG - Nuk te fton njeri në takim sot. Rroftë bota virtuale!

Feb 14, 2018
Nga ANISA BEGA
 
Sa më shumë kalon koha, aq më shumë njerëzit po bëhen robotikë.
Një nga temat që diskutohen shpesh në ditët e sotme është se dikur njerëzit kanë qenë më të lumtur, pasi i shijonin gjërat jo nëpërmjet internetit. Nëse dikush dëshironte të të takonte, nuk qëndronte fillimisht duke të dërguar një varg të gjatë me mesazhe, por vepronte me shpejtësi.  Kuptimin e fjalës (Carpe diem), pra kape çastin po e humbasim çdo ditë e më shumë dhe kjo është për të ardhur keq. Ku gjen sot dikë, pa rrjete sociale, apo  aplikacione online?! Çdo ditë shikon shkrime dedikuar rrjeteve sociale dhe frikës se në të ardhmen askush nuk do komunikojë me njëri-tjetrin. Sërish situata nuk ndryshon, madje bëhet edhe më e përkeqësuar. Nuk po flas vetëm për lidhjet dashurore, por edhe miqësore. Nëse dikush të merr ne telefon, habitesh dhe mendon direkt që do ketë ndonjë problem. E njëjta gjë më ndodhi mua, para disa ditësh, ku një person më mori në telefon. Jo, thashë me veten time, me siguri do më kërkojë ndonjë nder. Pikërisht, ashtu ndodhi dhe kur nuk ja zgjidha dot, as kalofsh mirë nuk më tha. Nuk ka asnjë mundësi, që dikush të të marrë në telefon dhe të thotë se e ka marrë malli dhe dëshiron të takohet me ju (në rastet ku jetoni pranë). Disa ditë më parë një mikesha ime tha: Jemi shndërruar në robotë, punë-shtëpi, asnjë emocion,  monotoni dhe vetëm ankesa dëgjon nga të gjithë. Dikur lodheshin ndoshta edhe më shumë me mënyrën e tyre të jetesës, por ishin më të lumtur me ato pak gjëra që kishin. Kur bisedoje me dikë, tjetri të shikonte në sy dhe të dëgjonte me vëmendje, ndërsa sot kur ti flet, tjetri shikon telefonin dhe as e ka idenë për çfarë po i bie daulles ti.  Ndonjëherë më i lumtur më duket,ai cigani që mbledh kanoçe, dëgjon muzikë dhe këndon për qejfin e tij, madje edhe të bën ndonjë dedikim me këngën” kaçurrelja”. Në biseda të tjera dëgjon që dy persona flirtojnë me njëri-tjetrin nëpërmjet mesazheve dhe nuk guxojnë të takohen. Frika e secilit ndoshta është se po e ftoi, ai ose ajo do e refuzojë. Edhe nëse refuzon, punë e madhe o njerëz, rëndësi ka që të dilni nga ajo fllucka, ku nuk po ju çon askund. Ndjenja e inferioritetit  po na dëmton shumë dhe njerëzit nuk po takohen më, por çdo gjë e konsumojnë me atë celular që nëse do kishte shpirt( do rënkonte nga dhimbja). Veproni sa jeni në kohë për të shijuar çastet e bukura që ju fal jeta!