Politikani kristiandemokrat i CDU-së Stephan Albani,gjatë një interviste për Deutsche Ëelle thekson se imuniteti i parlamentarit është një e mirë e rëndësishme, por nga ana tjetër ai nuk është mbrojtje para një procedure ligjore.

Shqipëria ndodhet përpara protestave. Nga njëra anë kemi qeverinë që premton reforma, që thotë se lufton krimin, nga ana tjetër opozita që përditë e quan qeverinë “qeveri të krimit”. Kemi pasur edhe një nga skandalet më të forta, një ish-ministër i Brendshëm dyshohet për lidhje me mafian e drogës, hetimet vazhdojnë. E kuptoni ju këtë vend?

Mund të kuptoj njerëz të veçantë, por jo vende të tëra. Por kuptoj ndjesinë e shumë shqiptarëve që duan të ecin përpara, që ndjejnë se nuk po bëjmë progres. Kisha edhe ambasadorin shqiptar këtu e folëm gjatë. Më duhet të them, se kriteret për fillimin e negociatave dihen, ato duhet vetëm të zbatohen, e këtu bën pjesë veçanërisht vullneti politik që siguron që korrupsioni dhe kriminaliteti i organizuar të luftohen me mjetet e shtetit ligjor.
Prandaj nuk arrij ta kuptoj dot për shembull që ish-ministrit të Brendshëm nuk i hiqet imuniteti. Ne e kemi bërë këtë kushedi sa herë në Bundestag. Imuniteti i parlamentarit është një e mirë e rëndësishme, por nga ana tjetër ai nuk është mbrojtje para një procedure ligjore që synon zbardhjen e një çështjeje. Kjo është shumë e rëndësishme për të siguruar besueshmërinë e Shqipërisë në shkallë ndërkombëtare.

Shqipëria shpreson në hapjen e negociatave këtë vit. Mendoni se kjo do mund të bëhet realitet?

Jemi në fillim të vitit, kemi raportet e progresit që do të publikohen në shkurt, e një proces që zgjat deri aty nga mesi i vitit. Nuk është pak por as shumë kohë. Si fizikant dhe politikan për mua vlejnë faktet, ia kam thënë në bisedë edhe ambasadorit shqiptar. Faktet jo vetëm në letër, por në zbatim konkret të tyre. Në letër shikoj disa gjëra, por në zbatim jo kushedi sa shumë. E kam siguruar se do ta formuloj rekomandimin tim për negociatat mbi bazën e fakteve nga mesi i vitit. Po qe se faktet janë të tilla që në këtë pikë nuk është bërë progres, atëherë faktet janë kaq të pakëndshme, saqë nuk mund ta përfytyroj se gatishmëria do të jetë shumë e madhe.

Opozita akuzon qeverinë Rama si “qeveri të krimit”. Madje kryeministri shihet si e vetmja pengesë për integrimin europian. Si mund një vend të ecë përpara me një klimë të tillë politike, ku rregullisht të dyja palët i drejtohen njëra-tjetrës me akuzat më të rënda?

Thjesht ndaloni me këto. Po qe se kërkohet një perspektivë në BE duhet që qeveria dhe opozita të sillen si ju takon. Po qe se kjo nuk është e siguruar, atëherë mungon çdo kriter, prandaj shpresoj që të dyja palët ta kuptojnë këtë. Palët duhet nxjerrin mësimet e tyre dhe të ndryshojnë qartësisht sjelljen ndaj njëri-tjetrit dhe të veprojnë me arsye.

Reforma në drejtësi ishte një vendim i vitit të shkuar, me shumë vështirësi, megjithatë ajo u vendos. Por palët politike vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën. Opozita- kryeministrin se do të vërë institucionet e drejtësisë nën kontroll, qeveria opozitën se ka frikë nga kjo reformë-Keni besim se kjo reformë do të funksionojë vërtet?

Mund të them vetëm se ka shumë gjëra në letër që duhet të bëhen realitet. Po ashtu nuk duhet humbur kohë. Sipas mendimit tim këtu nuk po punohet me fuqinë e duhur, BE duhet të bëjë presion për këtë, e në fund të fundit edhe ata politikanë shqiptarë që e kanë kuptuar këtë duhet ta marrin stafetën e veprimit në dorë. Ndryshe nuk bëhet dot.

Në vend ekziston një lloj mungese e perspektivës. Shqiptarët që kërkonin azil ishin në 2016-n në renditje të parët pas sirianëve në Gjermani, në 2017-n në Francë. Një vend që pret hapjen e negociatave nuk duhet të kishte këtë mungesë shprese…

Këto janë probleme që duhet të zgjidhen në Shqipëri. Nëse kjo nuk bëhet negocitatat për anëtarësim largohen më shumë e jo të afrohen. Prandaj duhet që palët të sundohen nga arsyeja që këto probleme t’i zgjidhin bashkë. Kriteret bazë janë përcaktuar, reforma në drejtësi, luftimi i korrupsionit, kriminalitetit të organizuar duhet të vendosen në fokus. E kjo duhet të ndjehet qartë, që nga mesi i vitit të merret një vendim, që i hap perspektiva edhe popullsisë në Shqipëri.

Published in INNEWS

Në Shqipëri, ka patur kritika kohët e fundit ndaj ambasadës amerikane për mbajtjen e qëndrimeve të dyfishta lidhur me Reformën e drejtësisë.

Në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës për këto akuza, ambasadori Donald Lu përmes një deklarate  thekson se politikanët shqiptarë duhet t’i japin fund ankesave dhe t’i futen punës.

Sipas ambasadorit, në vend që politikanët të fajësojnë të huajt,Shtetet e Bashkuara ose Bashkimin Evropian, për problemet që kanë krijuar vetë, do të ishte mirë të kishin dialog politik me njëri-tjetrin dhe te punonin bashkë për të zbatuar reformën në drejtësi, përfshi plotësimin me anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit.

Ambasadori Lu u bën thirrje politikanëve që të bashkëpunojnë për të zgjidhur mosmarrëveshjet lidhur me Prokurorin e Përgjithshëm, për mbështetjen e ligjeve të mira dhe për të ofruar burimet që policia dhe prokuroria të kapë kokat e krimit të organizuar.

Published in INNEWS

Zëvendëskryetar i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë Robert Wilton, ka thënë se zbatimi i Reformës në Drejtësi do të thotë që duhet të përmirësohen procedurat, praktikat dhe qëndrimet në çdo sektor të sistemit të drejtësisë e këto jo vëtëm të shkruhen. “Reforma e vërtetë nuk bëhet me letra apo në Parlament, reforma e vërtetë bëhet në çdo sallë gjyqi dhe zyrë juridike në vend”, tha Wilton gjatë një aktiviteti të zhvilluar me rastin e 20-vjetorit të Shkollës së Magjistraturës.

Ai ka vijuar ligjëratën duke shtuar se reforma në drejtësi duhet të jetë e prekshme dhe e besueshme për qytetarët e Shqipërisë dhe se nuk ka për të pasur reformë për sa kohë që qytetarët nuk besojnë te drejtësia e sistemit kur hyjnë në sallën e gjyqit.

Wilton gjithashtu ritheksoi se OSBE-ja e mbështet reformën e drejtësisë në Shqipëri bashkë me kolegët e organizatave ndërkombëtare që kanë luajtur një rol kaq të rëndësishëm në këtë proces.

Published in INNEWS

Deklarata e Ambasadorit Amerikan DOnald Lu ka gjetur menjëherë mbështetje politike në vend. Është kreu i Grupit kuvendor të LSI Petrit Vasili, i cili në një dalje për mediat Petrit Vasili akuzon për këtë situatë direk qeverinë e Kryeministrit Edi Rama.
Petrit Vasili:
Grupi parlamentar i LSI shqyrtoi qëndrimet e sotme të Ambasadorit Donald Lu lidhur me adresimin nga ana e tij të problematikës tepër të rëndë që po përjeton vendi lidhur me krimin e organizuar dhe efikasitetin tepër të ulët ose inekzistent të luftës ndaj këtij krimi dhe bandave që e përfaqësojnë atë. Ndan të njëjtin shqetësim me atë të Ambasadorit amerikan lidhur me këtë çështje që po kompromenton jo vetëm imazhin, stabilitetin dhe sigurinë e vendit dhe rendit publik por njëherazi dhe sigurinë e jetës së çdo qytetari.
Për këtë arsye, Kryetarja e LSI i është drejtuar Lu dhe Vlahutin për vettingun, pasi pa një vetting të pavarur, me integritet të lartë nuk mund të ketë në asnjë mënyrë një luftë efikase ndaj krimit të organizuar. Një drejtësi e kapur nuk do mund të kryente kurrë këtë dhe e kundërta do të ndodhte, do kishim rëndim akoma më ekstrem të vendit dhe rrëshqitje të saj në një situatë të paparashikuar dhe tepër të rrezikshme.
Debatuam fot dhe në sallën e Kuvendit. U jam drejtuar dhe publikisht Ambasadorëve Lu dhe Vlahutin të ushtrojnë ndikimin e tyre, fuqinë e shteteve që përfaqësojnë, SHBA dhe BE, për të imponuar mazhorancën që me arrogancë dhe e kapur bëri veprimin e fundit për kapjen e vettingut. Lu dhe Vlahutin të ushtrojnë ndikim për të kthyer mbrapsht këto vendime, për ti rishikuar dhe për ta çliruar drejtësinë dhe vettingun nga kapja.
Në asnjë mënyrë kjo situatë e rëndë e krimit, trafiqeve të drogës që ushqejnë krimin e organizuar dhe anasjelltas, ai i mban gjallë dhe i mbështet si krah i armatosur ato, nuk do mund të luftohen në rast se pastrimi i drejtësisë shqiptare nuk do ndodhë përmes vettingut, pasi vettingu kapet nga qeveria shqiptare. Gjithçka është investuar ka qenë për një vetting të pavarur. Është akoma në kohë të kthehen mbrapsht dhe të rishikohen këto vendime të turpshme, skandaloze.
Nuk ka më kohë as për të heshtur dhe as për të qëndruar pasivë. Në rast se nuk ndodh, ne Shqipërinë do ta linim në duar të këtyre bandave që sot Ambasadori amerikan pati meritën e madhe që ti nominonte me gisht. U kujdes të mos nominonte vetëm kryebanditin që ka emër dhe është ai që nuk lufton bandat, që inkurajon policinë që të mos merret me punën e saj por të mbledhë votat.

Published in INNEWS

Shqetësimi i demokrateve, për shkurtimin me 40% të anëtarëve të institucioneve të Vettingut me vendim të parlamentit nga socialistët, i është përcjellë trupës së ambasadorëve të BE dhe ONM, nëpërmjet një letre të kreut të grupit të selisë blu. Edmond Spaho duke kundërshtuar këtë vendim, sjell dhe argumentimin e vetë krerëve të institucioneve të Vettingut. Ky vendim sipas demokratëve është cënim i pavarësisë së këtyre institucioneve, duke shkelur në këtë mënyrë kushtetutën dhe ligjet e vendit, thekson kreu i grupit demokrat.
PD:
“Marrja përsipër nga ana e Kuvendit, që të strukturojë organet e pavarura kushtetuese, duke ulur me 40 përqind numrin e punonjësve të kërkuar prej tyre, është pa asnjë dyshim cënim i parimit kushtetues të pavarësisë organizative/funksionale të këtyre organeve”.
Për demokratët ku vendim i socialistëve ka për qëllim që të vendosë nën shantazh dhe kontroll të qeverisë të organeve të Vettingut.
PD
“Ndryshimi i strukturave të propozuara nga vetë organet e Vettingut, duke i diktuar atyre 40 për qind më pak staf, si dhe këto qëndrime të Kryeministrit në seancë plenare, janë tërësisht të papranueshme, dhe provë e qartë e mungesës së vullnetit të mazhorancës për suksesin e procesit të rivlerësimit, duke sabotuar që në nisje këtë proces. Sabotimi i procesit të Vettingut, rrezikon seriozisht funksioimin e të gjitha organeve të reja të sistemit të drejtësisë, përfshirë edhe dy organet e rëndësishme SPAK dhe BKH”.
Ndërkombëtarët të monitorojnë procesin
Në këto kushte demokratët kërkojnë qëndrim aktiv të partnerëve tanë ndërkombëtare edhe gjatë fazës së zbatimit, pasi sipas PD mosreagimi ndërkombëtarëve do të cenonte jo vetëm procesin por dhe besimin e qytetarëve shqiptarë.

Published in INNEWS

Ndërsa zbatimi i Reformës në Drejtësi është jetik për vendin dhe ecurinë drejt bashkimit Europian, Instituti i Studimeve Politike ka ngritur alarmin. Nëpërmjet një statusi në facebook Instituti i Studimeve Politike denoncon me shqetësim se brenda listës së anëtarëve të komisioneve të Vettingut ka edhe raste flagrante përfshirë edhe shkelje të dukshme të Kushtetutës së vitit 2016. Instituti nuk ka nguruar as të sjellë emra konkretë. Në statusin e tij Instituti i Studimeve Politike përmend emrin e Pal Shkambi i cili ka qenë për vite më radhë kryetar i Partisë Popullore Kristiandemokrate.
Instituti i Studimeve Politike thotë se në shtator të ketë një raport të detajuar për rastet dhe problematikat e detajuara.
Postimi i plotë i Instituti i Studimeve Politike:
“Reforma në drejtësi drejt jetësimit? Po. Janë ngritur komisionet e vetingut, janë zgjedhur drejtuesit kryesorë dhe në shtator nis procesi i vetingut për kandidatët në nivelet e larta gjyqësore.
Cili ishte argumenti kryesor i reformës në drejtësi? Do të kishim gjyqtarë e ekspertë të pavarur, do të kishim procese vendimmarrëse transparente, do të zgjidhnim më të mirët dhe më të ndershmit, do ti japim fund abuzimeve me Kushtetutën dhe ligjin!
Premtim shumë më i madh e më i rëndë sesa pesha që autorët e reformës mund të mbanin mbi supe!
Tani që kemi të zgjedhur komisionet e vetingut, – Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjin e Apelimit, – mund të kemi një ide për procesin dhe integritetin e tij.
Ka emra të mirë, ka emra profesionistë, ka prurje të reja, – por brenda listës ka edhe raste flagrante përfshirë edhe shkelje të dukshme të Kushtetutës së vitit 2016.
Le të ofrojmë sot një shembull konkret. Sipas Kushtetutës, aneksit mbi reformën, “anëtarët e Komisionit dhe gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit kanë arsim të lartë juridik dhe jo më pak se 15 vjet përvojë si gjyqtar, prokuror, lektor i së drejtës, avokat, noter, jurist i nivelit të lartë në administratën publike, ose në profesione të tjera ligjore që lidhen me sistemin e drejtësisë.
Kandidatët për anëtarë të Komisionit dhe gjyqtarë të Kolegjit nuk duhet të kenë qenë gjyqtarë, prokurorë ose këshilltarë ligjorë apo ndihmës ligjorë gjatë dy vjetëve të fundit përpara kandidimit.
Kandidatët nuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratën publike dhe funksione drejtuese në partitë politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit
Në fakt, Komisioni Ad-Hoc parlamentar për përzgjedhjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ka votuar dhe zgjedhur një emër, – Pal Shkambi.
Zoti Shkambi ka qenë për vite më radhë kryetar i Partisë Popullore Kristiandemokrate. Ai është regjistruar së fundi (2015) edhe në zgjedhjet lokale në Shqipëri.
Sipas Kushtetutës ai nuk duhej të kishte funksione drejtuese në partitë politikë në 10 vitet e fundit, pra përpara vitit 2007.
Me këtë klauzolë, – pra kufizimin me 10 vite, kanë përfituar anëtarë të tjerë të komisionit, përfshirë ish zv/ministri i drejtësisë S.Ç dhe disa emra të tjerë.
Kurse në rastin e zotit Shkambi kemi të bëjmë publikisht dhe qartësisht me shkelje të Kushtetutës, – të Kushtetutës që miratuam vetëm një vit më parë.
Vendimi është marrë nga parlamenti (komisioni ad-hoc) ku bëjnë pjesë deputetët e partive kryesore politike dhe ka gjetur miratim nga organet e mëparshme verifikuese dhe në fund edhe nga OMN, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit!
Shumë kohë përpara procesit të përzgjedhjes së strukturave të Vetingut, Instituti i Studimeve Politike i dërgoi letër zyrtare Kuvendit, Komisionit të Ligjeve, OMN, dhe Euralis, – duke paralajmëruar pamundësinë ligjore të verifikimit të strukturave partike në 10 viteve të fundit dhe spekulimeve që do të krijohen nga emra të vecantë në kandidim dhe në promovim.
Nuk morëm përgjigje. Asnjëherë. Edhe pse na ishte premtuar privatisht e zyrtarisht se do të kishte përgjigje për cdo mendim e sugjerim dhe se procesi do të ishte model për transparencën publike…:(((
Çështja është kaq e thjeshtë: si është e mundur që për një procedurë kaq të rëndësishme të ndiqet standard kaq minimal, të shkelet Kushtetuta dhe të injorohen fakte publike? A është kjo një devijim nga parimet kushtetuese dhe parimet e reformës apo një gabim konsensual i partive dhe OMN?
Si është e mundur që asnjë palë politike nuk flet, asnjë grupim asistues në proces nuk flet, asnjë media nuk e raporton skandalin dhe që gjërat absurde vijojnë të na ofrohen si procese normale, madje novative?
Nuk është shqetësim as emri i cituar dhe as roli i tij i mundshëm në Komision.
Shqetësim është devijimi nga parimi dhe Kushtetuta, devijimi nga standardi, dhe bashkë me to, paralajmërimi se edhe për të tjerë mund të ketë sisteme paralele vlerësimi e promovimi, – standarde të dyfishta, pse jo, edhe standarde “për Shqipërinë”.
Nëse lexohet CV reale e një pjese të zgjedhur tashmë komisionerë, – nga gjyqësori, nga bota akademike, nga shoqëria civile apo nga profesione të tjera, – nuk është e vështirë të konstatohet se kanë arritur të kalojnë vetingun dhe kështu, të drejtojnë procesin e vetingut për të tjerët edhe individë me rekorde negative profesionale dhe ligjore.
Në shtator ISP do të ketë një raport të detajuar për rastet dhe problematikat e detajuara.

Published in INNEWS

Vetëm një ditë pasi Kodi i Procedurës Penale hyri në fuqi, Unioni i Prokurorëve dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese padinë për shfuqizimin e disa neve të ligjit. Në argumentimin për shfuqizimin e plot 20 neneve të Kodit Penal, unioni ngre shqetësimin se kodi i ri kufizon funksionin dhe kompetencat kushtetuese të prokurorisë për ushtrimin e ndjekjes penale.
Në padi renditen të paktën 7 nene të Kodit të Procedurës Penale që, sipas prokurorëve, shkelin hapur Kushtetutën duke i kaluar kompetencat e prokurorit për ndjekjen e çështjes penale tek gjykata.
Ligji i ri i jep të drejtë prokurorit të pushojë çështje vetëm për kundravajtje penale dhe i jep gjykatës kompetencën, sipas unionit, antikushtetuese, për të gjykuar kërkesën e prokurorit për pushimin e akuzës apo për dërgimin në gjyq të çështjes për krimet. Unioni thotë në padinë drejtuar Gjykatës Kushtetuese se "heqja e ekskluzivitetit të organit të Prokurorisë në ushtrimin e ndjekjes penale përbën shmangie të këtij organi nga ushtrimi i veprimtarisë së tij kushtetuese, duke cënuar edhe parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve”.
Megjithëse Kodi i Procedurës Penale nuk është një nga 7 ligjet bazë të reformës në drejtësi, ai është një ligj bazë për veprimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve në dhënien e drejtësisë.
Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka në proces edhe 3 ligje të tjera të reformës në drejtësi, ku më i rëndësishmi është ai i “vetting”-ut, pasi gjyqtarët kërkojnë të shpallin antikushtetuese pjesën e kontrollit të figurës së njerëzve të drejtësisë.

Published in INNEWS

Shtatë zyrtarë të sistemit të drejtësisë kanë dhënë dorëheqjen, duke u larguar nga detyrat e tyre para nisjes së zbatimit të vetingut. Burime nga Presidenca bënë me dije se pranë këtij institucioni janë dorëzuar shatat dorëheqjet. Prokurori i vetëm i dorëhequr është Sulejman Tola, i Prokurorisë së Rrethit Krujë. Ai dha dorëheqjen nga detyra në fillim të vitit 2017, në momentin e dorëzimit të formularëve të vetëdeklarimit në ILDKPKI, duke qenë se për pak muaj dilte në pension. Ndërkohë dorëheqjen e kanë dorëzuar edhe tre gjyqëtarë, Ilir Çeliku i Gjykatës së Apelit Vlorë, Ilir Pashaj i Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan dhe Mirela Fana, gjyqtare pranë Gjykatës së Lartë. Po kështu, gjatë kësaj kohe, nga Gjykata e Lartë kanë dhënë dorëheqjen edhe dy këshilltarët ligjorë: Eritan Shehu dhe Adnand Berdica, si dhe ndihmësja ligjore Etleva Sherifi. Bazuar në nenin 56 të ligjit të rivlerësimit, gjyqtarët dhe prokurorët mund të jepnin dorëheqjen brenda tre muajve pas hyrjes në fuqi të ligjit, afat i cili ka përfunduar. Këta persona të dorëhequr u mendua se i shpëtonin vettingut, përfshirë edhe hetimit pasuror, profesional dhe të lidhjeve me krimin. Mirëpo, një gjë e tillë nuk qëndron, pasi nëse kanë kryer vepër penale me fshehjen apo mosdeklarimin e pasurisë së tyre, ata do të ndiqen penalisht. Procedurat e vetingut kanë nisur ndërkohë për rreth 800 gjyqtarë e prokurorë, ndërsa dorëheqjet nuk lejohen më sipas ligjit. Të gjithë funksionarët e drejtësisë tashmë do t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit pa të drejtë dorëheqjeje gjatë procesit. Ka qenë kjo pikë e ligjit të cilën Unioni i Gjyqtarëve e ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar që e drejta e dorëheqjes të jetë në çdo moment.

Dorëheqjet
Sulejman Tola, prokuror, Krujë
Ilir Çeliku, gjyqtar Apeli, Vlorë
Ilir Pashaj, gjyqtar, Elbasan
Mirela Fana, Gjykata e Lartë
Eritan Shehu, këshilltar ligjor, Gjykata e lartë
Adnand Berdica, këshilltare ligjore, Gjykata e Lartë
Etleva Sherifi, ndihmëse ligjore, Gjykata e Lartë

Published in INNEWS

Duket se Shukri Xhelili nuk i ka mbyllur çështjet me drejtësinë shqiptare. Mësohet se ish kreu i bashkisë së Peshkopisë Shukri Xhelili “rikthehet” në dyert e gjykatave. Këtë herë është Prokuroria e Dibrës e cila e ka kallëzuar ish-kryebashkiakun e Peshkopisë. Mësohet se Xhelili akuzohet për fshehje të pasurisë, mosdeklarim dhe deklarim të rremë të interesave private.
Hetimi i Prokurorisë së Dibrës nisi pas kallëzimit të bërë nga Inspektoriati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, ku në raportin për ish-zyrtarin vendor thotë se nuk justifikon të ardhurat për blerjen e një apartamenti në qytetin e Durrësit me vlerë 34 mijë euro. Apartamenti është në pronësi të djalit të ish-kryebashkiakut. Shukri Xhelili u shkarkua nga detyra e kryebashkiakut të Peshkopisë në maj të 2016, pas kërkesës për favore seksuale në këmbim të vendit të punës ndaj një vajze.

Published in INNEWS

Procesi i Vetingut është konsideruar si pika kryesore në zbatimin e reformës në drejtësi. E për këtë edhe anëtarët e përzgjedhur për komisionet e Vettingut kanë marrë një vëmendje maksimale. Ka qenë Komiteti Shqiptar i Helsinkit ai që ka monitoruar gjithë procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të komisionit të Vettingut. Nga vëzhgimi i KShH kandidatët që kanë marrë një vlerësim negativ nga ONM janë paragjykuar edhe nga anëtarët e komisionit Ad Hoc gjatë seancave dëgjimore.
KShH:
Vëzhguesit e KShH-së vunë re se ndaj këtyre kandidatëve u drejtuan pyetje paragjykuese në drejtim të paanshmërisë së tyre. Këta kandidatë u vunë nën presion politik gjatë intervistës (seancës dëgjimore), e cila në fakt duhet të kishte si objektiv kryesor testimin e nivelit profesional të kandidatëve.
Partnerët tanë ndërkombëtarë gjatë gjithë procesit kanë vënë theksin në rëndësinë e angazhimit pranë komisionit të vettingut të individëve që kanë studiuar dhe punuar jashtë vendit por në fund rezultoi krejt e kundërta në procesin e përzgjedhje.
KShH :
“Vëzhguesit e KShH-së vërejtën se pjesa me e madhe e kandidatëve të përzgjedhur janë arsimuar dhe kanë punuar brenda vendit, ndërkohë që një numër relativisht i lartë kandidatësh jo të përzgjedhur ishin arsimuar ose kishin patur përvoja të vlerësueshme në vendet perëndimore”.

 

Published in INNEWS